Nuk është e thënë që kriza financiare botërore të japë vetëm pasoja negative për ekonominë shqiptare. Përkundrazi, ajo mund të japë edhe pasoja pozitive. Agjencitë turistike angleze dhe vetë shtypi britanik janë angazhuar këtë pranverë në identifikimin e mundësive për "pushime në kohë krize", pra për pushimet më të lira të mundshme. Për këtë arsye, për herë të parë, kanë krijuar paketa turistike që përfshijnë qëndrim në hotelet e varfra shqiptare të bregdetit të Jugut. Një prej agjencive, "Sunvil.co.uk", ofron pushime në hotel me tre yje në Himarë për 993 sterlina. Në çmim përfshihen 5 net qëndrimi në Himarë dhe dy net në Korfuz, disa dreka, si dhe disa ekskursione në zonat përreth.
"Travelonholiday.co.uk" ofron udhëtime 8-ditore në të gjithë Shqipërinë për 575 sterlina, ndërsa pushimet në plazhin e Durrësit kushtojnë nga 275 sterlina/person për 7 ditë. Këto çmime nuk e përfshijnë udhëtimin.
Pushime krize
Kjo është hera e parë që Shqipëria ofrohet për pushime deti. Të gjitha kompanitë paralajmërojnë klientët e vet se shërbimet hotelerike janë thjesht një strehë mbi kokë, se Shqipëria nuk ka hotele luksoze, se rrugët janë në ndërtim e sipër dhe se vendi është i pisët.
Por, pavarësisht të gjitha problemeve, xhepat e zbrazur nga kriza të turistëve perëndimorë, kanë krijuar treg edhe për turizmin shqiptar. Për herë të parë, paketat e Shqipërisë përmbajnë pushime të gjata në plazh. Më herët, turizmi në Shqipëri nënkuptonte një udhëtim të shpejtë nga një qytet në tjetrin.
Shqipëria ofron pushimet më të lira në pellgun e Mesdheut, megjithëse ka shumë turistë që ankohen se çmimet nuk përfaqësojnë siç duhet cilësinë e shërbimit të përfituar. Pavarësisht kësaj, askund tjetër në Mesdhe nuk mund të gjesh më dhomë hoteli në bregdet për 20-30 euro/nata.
Turistët vijnë nga Korfuzi
Shumica e paketave turistike që përfshijnë edhe udhëtimin, planifikojnë kalimin nga ishulli grek i Korfuzit me aeroplan dhe vijimin e udhëtimit me traget drejt Sarandës. Arsyeja është e thjeshtë: Një biletë vajtje-ardhje Londër-Tiranë, kushton 350 euro në sezon të ulët, ndërsa udhëtimi Londër-Korfuz kushton 150-200 euro. Shqipëria ka çmimet më të larta të biletave ajrore në Ballkan, kryesisht për shkak të mungesës së konkurrencës dhe për shkak të politikës së gabuar të taksave mbi fluturimet ajrore.
Por konkurrenca po rritet
Vendet fqinje me Shqipërinë po përgatiten ethshëm për t‘u përballur me krizën. Javën e kaluar, qeveria e Malit të Zi i bëri thirrje pronarëve të shtëpive të ulin çmimet. Kroacia po lëviz në të njëjtin drejtim. Por në dallim nga Shqipëria, turistët kanë njohur shijen e hidhur të çmimeve të palogjikshme në këto vende gjatë viteve të shkuara, gjë që nuk e kanë hasur ende në Shqipëri.
Nga kultura te deti
Arsyeja e udhëtimeve drejt Shqipërisë nga turistët e huaj ka qenë para së gjithash turizmi kulturor. Edhe reklamat mbi turizmin të financuar nga qeveria janë përqendruar te pasuritë kulturore të vendit. Por këtë vit, edhe pushimet në bregdet kanë hyrë në listën e ofertave, pavarësisht se sistemi i transportit publik apo vetë bregdeti nuk ofron ndonjë gjë të madhe përveç bukurisë natyrore. Për këtë arsye, kompanitë turistike në Britani ofrojnë vetëm udhëtime me guidë, gjë që rrit kostot. Përveç faktit se udhëtimet ajrore drejt Shqipërisë kushtojnë më shtrenjtë se në çdo vend tjetër të rajonit, Shqipëria nuk ka një lidhje ndërkombëtare hekurudhore për udhëtarë, ndërsa nuk ka as një linjë të rregullt autobusi me Malin e Zi.
Turistët: Mos na diskriminoni në çmime
Ngjarja më e papëlqyer e pushimeve në Shqipëri është fakti se nëpër muze për turistët e huaj, bileta është shumë më e shtrenjtë se për vendësit, shkruante javën e kaluar John Carter, në gazetën britanike "Daily Mail". "Për të pirë një kafe në majë të një qiellgërvishtësi në Tiranë, na kërkuan 2 euro biletë hyrjeje vetëm pse ishim të huaj", - thotë ai. "Edhe në Amfiteatrin e Durrësit, të huajve u kërkohet të paguajnë 200 lekë më shumë sesa shqiptarëve".
Kjo praktikë e turpshme e taksimit të vizitorëve të huaj më shumë se ata vendës, zbatohet në pothuajse të gjitha muzetë, kështjellat e objektet e tjera historike apo arkeologjike në Shqipëri. Pagesat për vizita në parqe arkeologjike apo në muze nuk krijojnë ndonjë pasuri për këto institucione, por janë trashëgimi e praktikës turistike të kohës së komunizmit.
Detajet
Pushime në Shqipëri
Ofertat
Anglezëve u ofrohen këtë vit pushime në bregdetin e Durrësit apo të Himarës, me çmime shumë të ulëta dhe në hotele të zakonshme. Në vitet e shkuara, paketat bazoheshin më shumë te turizmi kulturor
Çmimet
Paketat që përfshijnë shtatë net hotel me mëngjes në Durrës apo Himarë kanë çmime të ulëta deri në 275 sterlina për shtatë net. Paketat që përfshijnë edhe koston e udhëtimit, fillojnë nga 970 sterlina
Konkurrenca
Edhe fqinjët tanë të Veriut, Kroacia dhe Mali i Zi, kanë ulur çmimet ndjeshëm këtë vit, por ekspertët besojnë se turistët e huaj do të kenë nevojë për kohë deri sa të binden se çmimet janë ulur me të vërtetë
Tendenca
Për herë të parë, turistëve anglezë u ofrohen pushime të gjata në bregdet. Deri më sot, turistët e huaj interesoheshin vetëm për turizmin kulturor në Shqipëri dhe paketat përfshinin udhëtime në disa qytete
Transit nga Korfuzi
Shumica dërrmuese e ofertave për turistët përfshijnë udhëtimin me avion drejt Korfuzit dhe ardhjen në Sarandë me traget, për shkak se fluturimet ajrore drejt Tiranës janë shumë më të shtrenjta sesa ato drejt Korfuzit









Apartamente me qera