Kriza ekonomike privon shqiptarët nga pushimet jashtë vendit. Tashmë agjencitë turistike po përballen çdo ditë dhe më shumë me kërkesa të pakta për pushime jashtë vendit.
Madje, edhe nëse ka ndonjë kërkesë të tillë pushuesit kërkojnë ofertat me çmime më të lira larg luksit me hotele të shtrenjta dhe vendeve të synuara. Në një vëzhgim që bëri gazeta në agjencitë turistike më në emër të kryeqytetit, menaxherët e turizmit pohojnë se, krahasuar me një vit më parë, kërkesat e shqiptarëve për të bërë pushime jashtë vendit, kanë ranë shumë.
"Kjo lidhet drejtpërdrejt me krizën ekonomike. Shqiptarët i preferojnë shumë pushimet jashtë vendit, por mundësitë ekonomike po ua ndryshojnë gjithnjë e më shumë këtë dëshirë", pohon Iris Çukani, menaxhere e njërës prej agjencive më të mëdha turistike.
Duke shpjeguar arsyet e këtij fenomeni të njëjtin mendim me të ndjejnë edhe kolegët e saj, të cilët ndeshen çdo ditë në pakësimin e klientëve që duan të pushojnë jashtë vendit.
Kërkesat
Vitrina që të ofrojnë pushime në çdo cep të botës. Hotele me 3 yje, 4 yje edhe me 5 yje dhe lloj-lloj shërbimesh në vende përrallore, ku përfshihet çdo gjë.
Por, më të kërkuarat mbetet Sharm El Sheik, pasi janë më të lira krahasuar me vendet e tjera. "Parisi, ishujt me emër të Greqisë apo Tailanda dhe vende të tjera luksi janë për një pjesë të vogël njerëzish dhe kuptojeni vetë, ata janë biznesmenë apo njerëz të njohur, sepse janë të vetmit që i përballojnë.
Pra, nuk bëhet fjalë për pjesën e gjerë të popullsisë", pohon Iris Çukani. Kjo është panorama që të ofrohet në agjencitë turistike më prestigjioze të vendit, por, me sa duket, këto po mbeten vetëm një ëndërr për shqiptarët, të cilët po varfërohen çdo ditë e më shumë.
Këtë e vërtetojnë agjencitë turistike, të cilat ndonëse po ofrojnë lloj-lloj ofertash, përsëri klientët nuk po mundin t'i shijojnë dot. "Vijnë pyesin për pushimet dhe më pas largohen për të marrë informacion edhe për oferta të tjera. Kjo situatë po vazhdon dhe theksohet gjithnjë e më shumë", pohojnë agjencitë turistike.
Cilësia
Pushimet jashtë vendit i kërkon vetëm një pjesë e vogël e popullsisë që janë të paktën mbi nivel mesatar ekonomik. Megjithatë, përsëri kjo pjesë e popullsisë nuk mund të zgjedhë vendet me cilësi më të larët për pushime.
Nëse vendosin të marrin pushimet për jashtë vendit, tashmë nuk do kërkojnë hotelet më luksoze si një vit më parë, por "kënaqen" edhe me variantet më ekonomike të mundshme.
"Tashmë kërkesat janë më të larta për hotele me tre yje dhe jo si më parë që vendosej për pushime luksi në hotele me katër dhe me pesë yje. Pra, në një farë mënyre, mund të them se pushimet e shqiptarëve janë më të varfra se një vit më parë, pasi zgjedhjet e tyre janë pikërisht për vendet më të lira", - shpjegon agjentja e turizmit, Anisa Lekgjonaj.
Ndërkohë, këto agjenci pohojnë gjithashtu se, pikërisht Turqia dhe Sharm El Sheik janë më të kërkuarat, pasi këto janë më të lirat dhe nuk nxjerrin probleme për vizat e pushuesve.
Megjithatë, për pjesën më të madhe të popullsisë pushimet jashtë vendit mbeten një ëndërr që nuk po e prekin dot. "Ka plot persona që vijnë dhe pyesin për çmimet e pushimeve dhe nuk duken më kurrë në agjenci dhe kjo jo se nuk duan, por nuk kanë mundësi të pushojnë aty ku duan", - pohon Iris Çukani.
Biznesmenët, të vetmit që shijojnë vendet e preferuara
Parisi, ishujt me emër të Greqisë apo Tailanda dhe vende të tjera luksi janë për një pjesë të vogël njerëzish dhe kuptojeni vetë, ata janë biznesmenë apo njerëz të njohur, sepse janë të vetmit që i përballojnë. Kështu, pushimet në vendet e preferuara dhe të shtrenjta duket që mund t'i shijojnë vetëm biznesmenët apo dikush tjetër, që gëzon statusin e politikanit apo të artit.
Askush tjetër nuk ka mundur të prekë pushimet në Spanjë, ishujt e Greqisë apo diku tjetër, ku ëndrra për luks, qoftë edhe për 4 ditë, mbetet e parealizueshme. Sipas menaxherëve të turizmit, kërkesat për pushime të tilla janë shumë të pakta, madje numërohen me gishta. "Kuptohen arsyet. Së pari, janë shumë të shtrenjta dhe jo gjithkush mund t'i përballojë. Ose më saktë, pakkush i përballon.
Pos kësaj, për pushimet në këto vende, si në Paris, Greqi, Spanjë apo në vendet perëndimore, është vështirë të sigurohet vizë", - pohon menaxherja e turizmit, Anisa Lekgjonaj. Kështu pjesa më e madhe e popullsisë vazhdon të jetë larg ëndrrës për të siguruar pushime aty ku i dëshirojnë.
Fenomeni, pushime të paplanifikuara
Nëse më parë njerëzit i planifikonin pushimet, të paktën 2 muaj më parë, tashmë ndodh ndryshe: ata trokasin vetëm një ditë apo dy ditë më parë në dyert e agjencive turistike për të planifikuar pushimet.
"Këtë vit është e habitshme, se njerëzit vijnë pothuajse në momentin e fundit dhe vendosin për pushimet. Më parë nuk vihej re shumë ky fenomen. Pra, mund të themi se tashmë po ndeshemi edhe me pushues që nuk i planifikojnë më parë pushimet", - pohon Anisa Lekgjonaj, menaxhere në një nga agjencitë më të mëdha të vendit.








